Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 15:1-11

Ligji i përtërirë 15:1-11 AL1

«Në fund të çdo viti të shtatë do të shpallësh shlyerjen e huave. Atë vit do të veprohet kështu: çdo huadhënës do ta falë huan e dhënë e nuk do ta kërkojë atë nga i afërti apo nga i vëllai, sepse është viti i faljes së ZOTIT. Të huajve mund t'ua kërkosh huan, vëllezërve të tu, do t'ua falësh. Gjithsesi, nuk do të ketë skamnorë mes jush, sepse ZOTI, Perëndia yt, do ta bekojë tokën, që po të jep për trashëgimi, nëse e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, e i mban tërë këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot. ZOTI, Perëndia yt, do të të bekojë, siç të premtoi e ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por vetë nuk do të marrësh hua. Do të sundosh shumë kombe, por ty nuk do të të sundojnë. Por, nëse ka ndonjë skamnor mes izraelitëve, vëllezërve të tu, në ndonjë prej qyteteve në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt, mos u trego zemërgur e dorështrënguar me vëllanë tënd nevojtar. Ji dorëhapur me të e jepi hua mjaftueshëm çka do që ka nevojë. Ruhu se mendon gjëra të pahijshme e thua: “Do ta shpërfill vëllanë nevojtar e nuk do t'i jap hua, ngaqë po afron viti i shtatë, viti i faljes së huave”. Atëherë ai do t'i thërrasë ZOTIT kundër teje dhe ti do të biesh në mëkat. Jepi me gjithë zemër e pa u trishtuar, sepse kështu, ZOTI, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër e çdo punë të duarve të tua. Ngaqë skamnorët nuk do të reshtin në tokën tënde, unë po të urdhëroj që të tregohesh dorëhapur ndaj vëllait tënd nevojtar e të varfër.