Kushto të dhjetën e gjithë prodhimeve vjetore nga arat e mbjella. Haje të dhjetën e drithit, të verës së re, të vajit dhe të parëlindurin e dhenve e të qeve në prani të ZOTIT, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, që të mësosh ta druash përherë ZOTIN, Perëndinë tënd. Nëse nuk i çon dot të dhjetat, sepse rruga për te vendi, që ZOTI do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, është tepër larg dhe sepse ZOTI, Perëndia yt, të ka bekuar shumë, atëherë këmbeji ato në para. Shko me para në dorë në vendin që do të zgjedhë ZOTI, Perëndia yt, e aty blej çfarë të duash, dhen, qe, verë, pije të forta e çdo gjë që ta ka ënda. Pastaj ha e festo bashkë me familjen tënde në prani të ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos e harroni levitin që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush.
Në fund të çdo viti të tretë sille të dhjetën e tërë prodhimeve të atij viti në hyrje të qytetit. Atëherë të vijë leviti, që nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush, i ardhuri, jetimi dhe e veja, që banojnë në qytet, e të hanë e të ngopen. Kështu, ZOTI, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër të duarve të tua».