Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 1:26-40

Ligji i përtërirë 1:26-40 AL1

Por ju nuk deshët të shkonit e ngritët krye kundër urdhrit të ZOTIT, Perëndisë tuaj. Murmuritët në tendat tuaja e thatë: “ZOTI na urren, prandaj edhe na nxori nga toka e Egjiptit, për të na dorëzuar te amoritët, që të na zhbijnë. Ku të ngjitemi? Vëllezërit na e futën frikën, duke thënë: populli i tyre është më i madh e më shtatlartë se i yni. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, madje atje vumë re edhe pasardhësit e anakitëve”. Unë ju thashë: “Mos u tmerroni e mos kini frikë prej tyre! ZOTI, Perëndia juaj, që ju prin, ai vetë do të luftojë për ju ashtu siç bëri gjithçka për ju në Egjipt e në shkretëtirë, ku patë sesi ZOTI, Perëndia juaj, ju mbarti si fëmijë përgjatë gjithë udhës që ndërmorët derisa mbërritët në këtë vend”. Megjithatë, ju nuk i zutë besë ZOTIT, Perëndisë tuaj, atij që ju prin udhës për t'ju gjetur vendfushim, që natën ju prin me zjarr e ditën me re për t'ju treguar udhën që duhet të ndiqni. Kur ZOTI jua dëgjoi zërin, u zemërua e u betua: “Asnjëri prej kësaj breznie të mbrapshtë nuk ka për ta parë tokën e mirë, që u betova t'ua jepja etërve tuaj, përveç Kalebit, birit të Jefunehut. Ai ka për ta parë. Atij e pasardhësve të tij do t'ia jap tokën që shkeli me këmbë, se i qëndroi besnik ZOTIT”. ZOTI u zemërua edhe me mua për shkakun tuaj e më tha: “As ti nuk ke për të hyrë atje! Jozuehu, biri i Nunit, që të shërben, ka për të hyrë. Jepi zemër, se ai do t'ia japë tokën si trashëgimi Izraelit. Edhe të vegjlit tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do të hyjnë bashkë me fëmijët tuaj, që nuk dinë ende të ndajnë të mirën nga e keqja. Atyre do t'ua jap vendin e ata do ta pushtojnë. Ndërsa ju, kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq”.