Këto janë fjalët që Moisiu i tha tërë Izraelit kur ishin përtej Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, kundruall Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hacerotit dhe Di Zahabit. Udhëtimi prej Horebit deri në Kadesh Barne zgjat njëmbëdhjetë ditë, nëse i bie nga mali i Seirit. Pas dyzet vjetësh, në ditën e parë të muajit të njëmbëdhjetë, Moisiu i tha Izraelit gjithçka urdhëroi ZOTI për ta. Kjo ndodhi pasi mundi Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon, dhe pasi mundi në Edrej Ogun, mbretin e Bashanit, që banonte në Ashtarot. Kur ishin përtej Jordanit, në tokën e Moabit, Moisiu filloi të shtjellojë këtë ligj: «ZOTI, Perëndia ynë, na tha në malin Horeb: “Mjaft qëndruat në këtë mal. Kthehuni, nisuni e hyni në malësinë e amoritëve dhe në krahinat fqinje, në Arabah, në malësi, në Shefelah, në Negev e në bregdet, në tokën e Kanaanit e të Libanit, deri te lumi i madh Eufrat. Ja, jua kam vënë përpara vendin. Hyni dhe pushtoni tokën që ZOTI iu betua t'ua japë etërve tuaj, Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre”.
Asokohe ju thashë: “Nuk mund t'ju prij vetëm. ZOTI, Perëndia juaj, ju ka shumuar dhe sot, ja ku jeni, të shumtë sa yjet e qiellit. ZOTI, Perëndia i etërve tuaj, ju shtoftë edhe një mijë herë më shumë e ju bekoftë siç ju ka premtuar, por si do t'i përballoj i vetëm peshën, barrën dhe zënkat tuaja?