Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 2:1-15

Kolosianëve 2:1-15 AL1

Dua t'ju bëj të njohur luftën e madhe që bëj për ju, për ata të Laodicesë dhe për të gjithë ata që nuk më kanë njohur personalisht. Unë luftoj që zemrat e tyre të gjejnë ngushëllim, që ata të jetojnë të bashkuar me dashuri e të pasuruar me sigurinë që jep dija e plotë. Kështu ata mund të njohin të fshehtën e Perëndisë, Krishtin. Në të gjenden të fshehura të gjitha thesaret e urtisë e të dijes. Këtë jua them që të mos ju gënjejë askush me fjalë joshëse. Edhe pse me trup nuk jam aty, shpirtërisht jam me ju dhe gëzohem kur shikoj rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin. Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje. Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë