Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t'ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, në të cilin kemi shpengimin, faljen e mëkateve.
Biri është shëmbëllimi
i Perëndisë së padukshëm,
i lindur përpara çdo krijese.
Sepse nga ai u krijua gjithçka
në qiej
e në tokë,
të dukshmet
e të padukshmet,
fronet,
zotërimet,
sunduesit
e pushtetet.
Gjithçka u krijua përmes tij e për të.
Ai është përpara çdo gjëje,
gjithçka e krijuar qëndron në të.
Ai është kreu i trupit,
domethënë i kishës,
fillimi i jetës së re,
i pari që u ngjall
prej të vdekurve,
që të jetë i pari në gjithçka.
Sepse Perëndisë i pëlqeu
që në Birin të banojë
e gjithë plotësia e vetë Perëndisë
e të pajtojë me veten e tij,
nëpërmjet Birit,
gjithçka mbi tokë
a në qiej,
duke vendosur paqen
me anë të gjakut
që Biri derdhi në kryq.
Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij.