Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 1:21-29

Kolosianëve 1:21-29 AL1

Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t'ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij. Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t'ju predikoj të plotë fjalën e tij. Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. Perëndia donte t'u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë. Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t'i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje.