Ndaj dhe unë ju lashë gojëzbrazur
në të gjitha qytetet tuaja
e pa bukë në gjithë vendet tuaja,
por tek unë ju nuk u kthyet,
kumton ZOTI.
Ndaj dhe unë e mbajta shiun
tre muaj para korrjes.
E çoja shiun në një qytet,
por jo në një tjetër.
Njëra pjesë e tokës lagej,
ndërsa tjetra digjej e thatë.
Banorët e dy a tri qyteteve
iknin në një qytet tjetër
për të gjetur ujë e s'ngopeshin,
por tek unë ju nuk u kthyet,
kumton ZOTI.
Ju godita me urth e vrug.
Shumë kopshte e vreshta tuajat,
fiq e ullishta i përlau vemja,
por tek unë ju nuk u kthyet,
kumton ZOTI.
Dërgova murtajën mes jush,
siç e dërgova në Egjipt.
I vrava me shpatë djelmoshat tuaj,
kuajt tuaj i bëra pre.
Hundët jua shpova me kutërbimin e fushimit,
por tek unë ju nuk u kthyet,
kumton ZOTI.
Ju përmbysa,
siç i përmbysi Perëndia Sodomën e Gomorrën,
u bëtë si trungu i përcëlluar nga zjarri,
por tek unë ju nuk u kthyet,
kumton ZOTI.
Ndaj kështu do të sillem me ty, o Izrael.
Meqë do të veproj kështu,
përgatitu të takosh Perëndinë tënd, o Izrael.
Ja, ai që u dha trajtë maleve dhe erën krijoi,
ai që i dëfton njeriut synimet,
ai që e bën agimin terr
dhe ecën mbi kreshtat e tokës,
është ZOTI,
Perëndi i ushtrive është emri i tij».