Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 9:1-19

Veprat 9:1-19 AL1

Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem. Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit. Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?». Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek. Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh». Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask. Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë. Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot». Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi». Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri. Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty». Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim». Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë». Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Veprat 9:1-19

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë