Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij.
Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.
Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.
Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve:
a më kushtove kafshë të therura
dhe flijime,
dyzet vjet në shkretëtirë,
o shtëpia e Izraelit?
Ju morët me vete tendën e Molokut
dhe yllin e perëndisë suaj Refan,
shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar,
prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë.
Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
qielli është froni im
e toka është shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,
thotë Zoti,
ose cili është vendi
ku do të gjej prehje?
A nuk i ka bërë dora ime
të gjitha këto gjëra?
Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë.