Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 7:1-53

Veprat 7:1-53 AL1

Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?». Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend. Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet. Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit. Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem. Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë. Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij. Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt. Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre. Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve: a më kushtove kafshë të therura dhe flijime, dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit? Ju morët me vete tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Refan, shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar, prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë. Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë. Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti: qielli është froni im e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej prehje? A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra? Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë