Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin. Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin. Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin e të thoshin: «Ç'të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një shenjë që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë. Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t'i kërcënojmë që të mos u flasin më njerëzve në emër të Jezuit». Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit. Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju dëgjojmë ju apo Perëndinë? Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».
Ata, pasi nuk gjetën arsye për t'i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj shenje ishte mbi dyzet vjeç.
Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot, ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë:
përse u zemëruan kombet
e popujt thurin shestime të kota?
Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».
Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.
Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.
Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.