Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 27:1-12

Veprat 27:1-12 AL1

Kur u vendos të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të burgosur të tjerë i çuan te një njeri me emrin Jul, kryeqindës i kohortës perandorake. Ne hipëm në një anije nga Adramiti, që do të kalonte nga portet përgjatë brigjeve të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte edhe Aristarku, një maqedonas nga Selaniku. Të nesërmen mbërritëm në Sidon. Juli u soll me dashamirësi me Palin dhe e lejoi të shkonte te miqtë e vet, që ata të kujdeseshin për të. Prej aty u nisëm e lundruam përgjatë Qipros, se e kishim erën kundër. Pasi kaluam detin gjatë brigjeve të Kilikisë e të Pamfilisë, arritëm në Mirë të Likisë. Aty kryeqindësi gjeti një anije nga Aleksandria që lundronte për në Itali dhe na hipi në atë anije. Për disa ditë lundruam ngadalë dhe me vështirësi arritëm përballë Knidës. Meqë kishim erën kundër, lundruam poshtë Kretës, përbri Salmonit. Lundruam me shumë vështirësi përgjatë bregut dhe arritëm në një vend që quhej «Portet e Mira», pranë qytetit të Laseas. Kishte kaluar shumë kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse kishte kaluar edhe koha e agjërimit të vjeshtës. Atëherë Pali i këshilloi e u tha: «Burra, unë mendoj se lundrimi do të jetë i rrezikshëm e do të humbasim jo vetëm ngarkesën dhe anijen, por edhe jetët tona». Por kryeqindësi dëgjoi timonierin dhe të zotin e anijes dhe nuk u vuri vesh fjalëve të Palit. Meqë ai port nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica ishte e mendimit të largoheshin prej aty dhe mundësisht të arrinin në Fenikë, ku do të kalonin dimrin. Ky ishte një port i Kretës që shihte nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.