Pali vështroi nga sinedri e tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë».
Atëherë kryeprifti Hananiah i urdhëroi ata që ishin pranë Palit ta godisnin Palin në gojë. Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron të më godasin». Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?». Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse është shkruar: mos fol keq për krerët e popullit tënd! ».
Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve».
Sapo e tha këtë, farisenjtë e saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça. Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto. Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa shkrues nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t'i ketë folur një shpirt apo një engjëll?».
Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, kryemijësi pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët të shkonin e t'ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.
Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit e i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë».
Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin. Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta. Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin. Prandaj, tani, ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».
Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin. Pali thirri njërin nga kryeqindësat e i tha: «Dërgoje këtë djalosh te kryemijësi, se ka diçka për t'i thënë». Ai e mori, e çoi te kryemijësi e i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri e më kërkoi ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë». Kryemijësi e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?». Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht. Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd». Atëherë kryemijësi e nisi djaloshin e i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».
Atëherë ai thirri dy nga kryeqindësat e u tha: «Përgatituni për t'u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë. Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».
Pastaj shkroi këtë letër: «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks: përshëndetje!
Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve. Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre. Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat. Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të».
Atëherë ushtarët e morën Palin dhe, sipas urdhrit, e çuan gjatë natës në Antipatridë. Të nesërmen i lanë kalorësit të shkonin me të, ndërsa ata vetë u kthyen në fortesë. Kalorësit arritën në Cezare, i dhanë letrën qeveritarit dhe i dorëzuan Palin.
Qeveritari e lexoi letrën, e pyeti Palin se cilës provincë i përkiste dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, i tha: «Do të të dëgjoj kur të vijnë ata që të kanë paditur». Pastaj urdhëroi ta mbanin nën mbikëqyrje në pretoriumin e Herodit.