Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 19:1-20

Veprat 19:1-20 AL1

Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj e u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e shenjtë?». Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të shenjtë». Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?». Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit». Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin». Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu. Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta. Ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin. Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra. Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej t'i bindte për mbretërinë e Perëndisë. Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran. Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e helenë, dëgjuan fjalën e Zotit. Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit. Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre. Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!». Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev, por shpirti i keq u përgjigj: «Unë i njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?». Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur. Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë e helenët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu. Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë. Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi. Kështu fjala e Zotit përhapej e forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë