Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.
Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe».
Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.
Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë.
Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t'u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel. Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “ Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia”. Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin.