2 Samuelit 5:1-5
2 Samuelit 5:1-5 AL1
Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt. Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. ZOTI të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”». Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para ZOTIT. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet. Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet.

