Por fjala e mbretit ishte më e fortë se Joabi dhe krerët e ushtrisë, prandaj ata u larguan nga prania e mbretit dhe shkuan për të regjistruar popullin e Izraelit. Ata kaluan Jordanin dhe fushuan në Aroer, në jug të qytetit që shtrihet në mes të vaut, dhe pastaj shkuan në Gad dhe në Jazer. Mandej mbërritën në Gilead dhe në krahinën e Tahtim Hodshiut, shkuan në Dan Jaan dhe në rrethinat e Sidonit dhe mbërritën në fortesën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e hivitëve dhe të kananitëve. Mandej dolën për në Negev të Judës në Bershebë. Pasi përshkuan mbarë vendin, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. Joabi i dorëzoi mbretit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej tetëqind mijë burra në Izrael dhe pesëqind mijë burra në Judë. Por Davidin filloi ta brejë ndërgjegjja për regjistrimin e popullsisë. Atëherë ai i tha ZOTIT: «Mëkatova shumë me këtë gjë që bëra. Por, po të përgjërohem, o ZOT, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Kur Davidi u ngrit në mëngjes, fjala e ZOTIT iu drejtua profetit Gad, vegimtarit të Davidit e i tha: «Shko dhe thuaji Davidit se kështu thotë ZOTI: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». Gadi erdhi te Davidi për t'i treguar e i tha: «A do që të bien mbi ty shtatë vjet zi buke, tre muaj arrati dhe përndjekje nga armiqtë e tu, apo tri ditë murtajë në vendin tënd? Tani vendose dhe shihe vetë çfarë duhet t'i përgjigjem atij që më dërgoi». Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e ZOTIT, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!». Atëherë ZOTI dërgoi murtajën në Izrael, nga mëngjesi deri në kohën e caktuar, dhe prej popullit ranë shtatëdhjetë mijë vetë, nga Dani në Bershebë.
Lexo 2 Samuelit 24
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 2 Samuelit 24:4-15
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video