Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 1

1
Vajtimi për Samuelin
1Pas vdekjes së Saulit, Davidi mundi Amalekun dhe u kthye e ndenji dy ditë në Ciklag. 2Ditën e tretë erdhi një njeri prej aradheve të Saulit, me rroba të shqyera dhe kokën mbuluar me dhe. Kur mbërriti te Davidi, ra përdhe dhe e nderoi. 3Davidi e pyeti: «Nga po vjen?». Ai i tha: «U arratisa prej fushimit të Izraelit». 4Atëherë Davidi i tha: «Më trego çfarë ka ndodhur». Ai iu përgjigj: «Populli ia mbathi nga beteja dhe shumë mbetën të vrarë. U vra edhe Sauli me Jonatanin, birin e tij». 5Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: «Nga e di se janë vrarë Sauli dhe biri i tij, Jonatani?». 6Djaloshi, që solli lajmin, i tha: «Isha në malin Gilboa dhe Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kur iu afruan karrocat dhe kalorësit. 7Ai u kthye, më pa e më thirri. E unë i thashë: “Ja ku jam!”. 8Ai më pyeti: “Prej nga je?”. Unë i thashë: “Jam amalekit”. 9Pastaj ai më tha: “Sulu e më vrit, se jam në grahmat e fundit, por ende gjallë”. 10Unë iu sula dhe e vrava. E dija se nuk do të jetonte më për shkak të plagëve. Ia mora kurorën që kishte mbi krye dhe mbimëngëzën që kishte në krah dhe ia solla timzoti».
11Atëherë Davidi kapi rrobat e i shqeu. Kështu bënë edhe tërë burrat që ishin me të. 12Qanë, vajtuan e agjëruan gjer në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë prej shpatës. 13Pastaj Davidi i tha djaloshit që kishte sjellë lajmin: «Prej nga je?». Ai i tha: «Jam i biri i një të ardhuri amalekit». 14Davidi vijoi: «Si nuk pate frikë, por ngrite dorë dhe e vrave të vajosurin e Zotit?». 15Davidi thirri një nga djelmoshat e i tha: «Shko e qëlloje!». Ai i ra dhe e vrau. 16Davidi tha: «Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, se vetë goja jote dëshmoi kundër teje, kur the se vrave të vajosurin e Zotit».
17Atëherë Davidi lëshoi këtë vajtim për Saulin dhe birin e tij, Jonatanin, 18dhe urdhëroi ta mësonin bijtë e Judës. Kjo është Kënga e Harkut, shkruar në librin e të Drejtit:
19«Lavdia jote, o Izrael,
ra theror në bjeshkë.
Si ranë kështu trimat!
20Mos e tregoni në Gat,
mos e shpallni rrugëve të Ashkelonit,
se do të gëzohen bijat e filistinëve,
do të ngazëllejnë bijat e të parrethprerëve.
21O malet e Gilboasë,
mos rëntë mbi ju as vesë, as shi,
mos paçi ara të begatshme.
Se aty u ndy mburoja e trimave,
mburoja e Saulit nuk u lye me vaj.
22Prej gjakut të therorisë
e prej dhjamit të kreshnikëve
harku i Jonatanit nuk u zmbraps,
as kordha e Saulit nuk doli huq.
23Sauli e Jonatani
ishin të dashur e të shtrenjtë,
as jeta e as vdekja nuk i ndau.
Më të shpejtë ishin se shqiponjat,
më të fortë se luanët.
24O bijat e Izraelit,
vajtojeni Saulin.
Ai ju veshi me të kuqe të shkëlqyer,
rrobat jua stolisi me ar.
25Si ranë trimat në mes të betejës?
Jonatani ra theror në bjeshkë!
26U pikëllova për ty, o Jonatan, vëllai im.
Sa i shtrenjtë ishe për mua!
Dashuria jote për mua,
më e mrekullueshme se dashuria e gruas.
27Si ranë kështu trimat
e armët u shkatërruan!».

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë