Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Pjetrit 2:1-11

2 Pjetrit 2:1-11 AL1

Në popull ka pasur edhe profetë të rremë, ashtu si edhe mes jush do të ketë mësues të rremë. Ata do të fusin fshehurazi mësime të cunguara, rrënimtare, e do të mohojnë edhe të Zotin që i bleu. Kështu do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Shumë njerëz do të ndjekin fëlligështitë e tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Nga lakmia për para, ata do t'ju mashtrojnë me fjalë të sajuara. Por gjykimi i tyre, i vendosur qëmoti, nuk do të vonojë dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremisë. Perëndia nuk kurseu as engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në humnerat e skëterrës, ku ruhen të lidhur me pranga në errësirë për ditën e gjykimit. Ai nuk kurseu as botën e lashtë, por kur solli përmbytjen mbi botën e të pafeve, shpëtoi vetëm Noeun, vetë i tetë, predikuesin e drejtësisë. Dënoi me shkatërrim edhe qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, duke i bërë hi dhe i bëri shembull për ata që në të ardhmen do të jetonin pa besim. Por shpëtoi Lotin e drejtë, i cili vuante nga sjellja e fëlligësht e të pafeve. Ky i drejtë jetonte mes tyre dhe shpirti i tij i drejtë mundohej dita-ditës kur shikonte me sy dhe dëgjonte me veshë veprat e tyre të paudha. Zoti di t'i shpëtojë nga tundimi ata që i janë përkushtuar atij dhe di t'i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjykimit, sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë. Ata janë të paturpshëm, përbuzës dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore, ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre.