Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 5:20-27

2 Mbretërve 5:20-27 AL1

kur Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me vete: «Imzot e kurseu Namanin, këtë arameasin, dhe nuk ia mori dhuratat që kishte sjellë me vete. Pasha ZOTIN, po shkoj me vrap pas tij e po i marr ndonjë gjë». Kështu, Gehazi e ndoqi pas Namanin. Namani e pa që po vraponte, prandaj zbriti nga karroca për ta takuar e i tha: «Je mirë?». Gehazi iu përgjigj: «Mirë jam! Imzot më dërgoi të të them se sapo mbërritën për ta parë dy djelmosha nga malësia e Efraimit, bij të profetëve, e të lutet t'u japësh atyre tridhjetë kilogramë argjend dhe dy palë ndërresa». Namani i tha: «Merr më mirë gjashtëdhjetë kilogramë» dhe nguli këmbë që t'i merrte. Gjashtëdhjetë kilogramët i futi në dy thasë, vuri edhe dy palë ndërresa dhe ua dha dy prej shërbëtorëve të tij që t'i mbanin, duke ecur para Gehazit. Kur mbërritën te kodra, Gehazi i mori dhuratat nga shërbëtorët e Namanit dhe i futi në shtëpi. Pastaj i nisi dy shërbëtorët e ata ikën. Mandej Gehazi shkoi e u paraqit tek Eliseu, zotëria i vet, i cili e pyeti: «Ku ishe, Gehaz?». Gehazi iu përgjigj: «Shërbëtori yt nuk ishte askund». Eliseu i tha: «Unë isha aty me shpirt, kur ai njeri zbriti nga karroca për t'u takuar me ty. Vallë, tani ishte çasti për të marrë argjend, rroba, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore? Prandaj, lebra e Namanit do të bjerë mbi ty e mbi pasardhësit e tu përjetë». Gehazi doli nga shtëpia e Eliseut i zbardhur si dëbora, prej lebrës.