Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 5:1-19

2 Mbretërve 5:1-19 AL1

Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Aramit, ishte njeri me peshë dhe i nderuar prej zotërisë së vet, sepse me anë të tij ZOTI e kishte shpëtuar Aramin, por, ndonëse luftëtar trim e i fuqishëm, ai vuante nga lebra. Gjatë një sulmi që kishin bërë disa çeta nga Arami në tokat e Izraelit, kishin rrëmbyer një vajzë të vogël, e cila ishte bërë shërbyesja e gruas së Namanit. Një ditë vajza i tha zonjës së saj: «Sikur imzot të shkonte te profeti që është në Samari, ai do ta kishte shëruar nga lebra». Namani shkoi e foli me mbretin, zotërinë e tij, e i tha: «Kështu e kështu më ka thënë një vajzë nga Izraeli». Mbreti i Aramit i tha Namanit: «Nisu për udhë e unë do t'i dërgoj një letër mbretit të Izraelit». Namani u nis dhe me vete mori treqind kilogramë argjend, gjashtëdhjetë kilogramë ar dhe dhjetë palë ndërresash. Kur mbërriti, i dha mbretit të Izraelit letrën, në të cilën thuhej: «Bashkë me këtë letër po të dërgoj edhe shërbëtorin tim, Namanin, që ta shërosh nga lebra». Kur e lexoi letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat e tha: «Mos jam gjë perëndia unë, i cili ka pushtetin për të sjellë vdekjen apo jetën, që ky më dërgon këtë njeri për ta shëruar nga lebra? Shihni, ai po kërkon shkak për t'u ngatërruar me mua». Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, dëgjoi se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, i çoi fjalë mbretit e i tha: «Përse i shqeve rrobat? Lëre të vijë tek unë, që ta dijë se në Izrael ka profet». Namani shkoi me kuaj e me karroca e u ndal te dera e shtëpisë së Eliseut. Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar e i tha: «Shko e lahu shtatë herë në lumin Jordan dhe trupi yt do të shërohet e do të pastrohet nga lebra». Namani u zemërua e iku duke thënë: «Ja, unë prisja që ai të dilte për të më takuar, të qëndronte para meje, të thërriste emrin e ZOTIT, Perëndisë së tij, të vinte dorën në plagë e të më shëronte nga lebra. A nuk janë lumenjtë e Damaskut, Abana e Farfari, më të mirë se të gjithë ujërat e Izraelit? Pse, nuk mund të lahesha në to e të shërohesha?». Kështu, ai u kthye e u largua tejet i zemëruar. Por shërbëtorët iu afruan e i thanë: «Imzot, po të të kishte kërkuar profeti një gjë të vështirë, a nuk do ta bëje? Përse të mos bësh çfarë të tha dhe të shkosh të lahesh e të pastrohesh?». Atëherë Namani shkoi në Jordan, u la shtatë herë, siç e kishte urdhëruar njeriu i Perëndisë, dhe trupi iu shërua e iu bë i pastër si trupi i një djaloshi. Menjëherë Namani u kthye te njeriu i Perëndisë me gjithë shpurën e tij, qëndroi përpara tij e i tha: «Ja, tani unë e di se nuk ka Perëndi tjetër në mbarë dheun, përveçse në Izrael. E tani prano, të lutem, një dhuratë nga shërbëtori yt». Eliseu i tha: «Pasha ZOTIN, të cilit i shërbej, nuk e marr». Namani iu përgjërua të pranonte, por Eliseu nuk pranoi. Atëherë Namani i tha: «Meqenëse nuk pranon, të lutem, më lejo të marr pak dhe, aq sa mbajnë dy mushka. Shërbëtori yt nuk do t'i kushtojë më as fli shkrumbimi e as ndonjë fli tjetër perëndive të tjerë, përveç ZOTIT. Por, ZOTI ta falë shërbëtorin tënd, kur të shkojë me zotërinë e tij në tempullin e Rimonit. Kur zotëria im shkon atje, mbështetet mbi dorën time, e unë duhet të përkulem për të adhuruar në tempullin e Rimonit. ZOTI e faltë shërbëtorin tënd për këtë gjë». Eliseu i tha: «Shko në paqe!».