Djali u rrit dhe një ditë shkoi tek i ati, që ishte me korrësit. Papritur i tha të atit: «Koka! Koka!». I ati i tha shërbëtorit: «Merre djalin e çoje tek e ëma». Shërbëtori e mori djalin dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mbajti djalin në prehër, por në mesditë ai vdiq. Atëherë ajo u ngjit në dhomën e sipërme, e shtriu djalin në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli derën dhe doli nga dhoma. Mandej thirri të shoqin e i tha: «Më dërgo, të lutem, një shërbëtor dhe një gomar, që të shkoj shpejt te njeriu i Perëndisë e të kthehem». Ai e pyeti: «Përse po shkon tek ai? Sot nuk është as hënë e re e as e shtunë». Ajo i tha: «Rri i qetë!». Pastaj shaloi gomarin e i tha shërbëtorit: «Dil përpara e jepi shpejt! Mos u ndal për mua pa të urdhëruar unë». Kështu, ajo u nis e shkoi te njeriu i Perëndisë në malin Karmel. Njeriu i Perëndisë e pa nga larg e i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Shiko, po vjen gruaja shunamite. Shko dili shpejt përpara e pyete në është mirë dhe në e ka mirë burrin dhe djalin». Gruaja iu përgjigj: «Mirë!». Kur mbërriti te njeriu i Perëndisë në mal, ajo i ra te këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: «Lëre të qetë, sepse i është hidhëruar shpirti. ZOTI më ka fshehur diçka e nuk ma ka treguar». Atëherë ajo i tha Eliseut: «A të kërkova gjë djalë, imzot? A nuk të thashë të mos më mashtroje?». Atëherë Eliseu i tha shërbëtorit të tij: «Ngjishe brezin për udhë, merr shkopin tim e nisu. Mos u ndal për të përshëndetur askënd udhës dhe, po të të përshëndetë ndokush, mos u përgjigj. Shko dhe vëre shkopin tim mbi fytyrën e djalit». Por e ëma e djalit i tha: «Pasha ZOTIN dhe pasha jetën tënde, nuk do të të lë!». Atëherë Eliseu u ngrit dhe shkoi pas saj. Gehazi mbërriti para tyre dhe e vuri shkopin e Eliseut mbi fytyrën e djalit, por djali nuk nxori zë e nuk lëvizi. Pastaj u kthye tek Eliseu e i tregoi se djali nuk ishte zgjuar.
Eliseu mbërriti te shtëpia e gruas e, ja, fëmija dergjej i vdekur mbi shtrat. Ai hyri brenda, vetëm me fëmijën në dhomë, mbylli derën nga pas e iu lut ZOTIT. Pastaj hipi mbi shtrat, u shtri mbi fëmijën dhe e vuri gojën e vet mbi gojën e fëmijës, sytë e vet mbi sytë e fëmijës dhe duart e veta mbi duart e fëmijës. Teksa ishte shtrirë duke ndenjur mbi fëmijën, trupi i fëmijës filloi të ngrohej. Eliseu u ngrit e filloi të ecte sa andej këndej nëpër dhomë. Pastaj hipi mbi shtrat e u shtri përsëri mbi fëmijën. Atëherë fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë. Eliseu thirri Gehazin e i tha: «Thirre gruan shunamite». Gehazi e thirri dhe, kur ajo erdhi, Eliseu i tha: «Merre djalin!». Atëherë gruaja ra përmbys te këmbët e Eliseut e u përkul deri në tokë. Pastaj mori djalin e doli.