Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 23:1-27

2 Mbretërve 23:1-27 AL1

Atëherë mbreti dërgoi lajm të mblidhej tek ai e gjithë pleqësia e Judës dhe e Jerusalemit. Mbreti shkoi në tempullin e ZOTIT dhe bashkë me të, të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, priftërinjtë, profetët e mbarë populli, i madh e i vogël. Ai lexoi para tyre të gjitha fjalët e librit të Besëlidhjes që ishte gjetur në tempullin e ZOTIT. Pastaj mbreti qëndroi pranë shtyllës së tempullit dhe bëri një besëlidhje para ZOTIT, për të ecur udhës së ZOTIT dhe për të mbajtur urdhërimet, dëshmitë dhe rregullat e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i përmbushur të gjitha fjalët e asaj besëlidhjeje, ashtu siç ishin shkruar në atë libër. Mbarë populli e pranoi besëlidhjen. Atëherë mbreti Josi i dha urdhër kryepriftit Hilkiah, priftërinjve të rangut të dytë dhe portarëve të nxirrnin jashtë tempullit të ZOTIT të gjitha sendet, që ishin punuar për nder të Baalit, të Asherasë apo të ushtrisë qiellore. Mbreti i dogji sendet jashtë Jerusalemit, në luginën e Kidronit dhe hirin e tyre e çoi në Betel. Ai hoqi edhe priftërinjtë e idhujve, që mbretërit e Judës kishin caktuar për të kushtuar temjan në faltoret në vende të larta nëpër qytetet e Judës dhe në rrethinat e Jerusalemit, si edhe ata që i kushtonin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të yjeve e mbarë ushtrisë qiellore. Shtyllën e Asherasë e nxori nga tempulli i ZOTIT jashtë Jerusalemit në luginën e Kidronit, ku e dogji, e bëri hi dhe hirin e shpërndau mbi varret e popullit. Ai shkatërroi edhe ndërtesat e lavirëve të kultit, që ndodheshin në tempullin e ZOTIT, ku gratë endnin pëlhura për shtyllat e Asherasë. Mandej solli priftërinjtë nga të gjitha qytetet e Judës dhe përdhosi faltoret në vende të larta, ku kishin kushtuar temjan, që nga Geba e deri në Bershebë. Ai rrënoi edhe faltoret te Porta e Jozuehut, qeveritarit të qytetit, që ndodhej në të majtë të portës kryesore të qytetit. Megjithatë, priftërinjve të faltoreve në vende të larta nuk u lejohej të ngjiteshin para altarit të ZOTIT në Jerusalem për të kushtuar fli, por ata mund të hanin bukët e ndorme si priftërinjtë e tjerë. Josia përdhosi edhe Tofetin, që ndodhej në luginën e Ben Hinomit, me qëllim që askush të mos i kushtonte më si fli në zjarr djalin apo vajzën e vet Molekut. Mandej ai hoqi kuajt, që mbretërit e Judës ia kishin kushtuar diellit e që rrinin në hyrje të tempullit të ZOTIT, në shtesën pranë dhomës ku banonte eunuku Natan Melek, ndërsa karrocat e diellit i dogji në zjarr. Mbreti Josi shembi edhe altarët që kishte ndërtuar Ahazi, mbreti i Judës, mbi tarracën e dhomës së sipërme, si edhe altarët, që kishte ndërtuar Manaseu në dy tremet e tempullit të ZOTIT. I bëri copë e çikë dhe pluhurin e tyre e hodhi në luginën e Kidronit. Përdhosi edhe faltoret në vende të larta përballë Jerusalemit, në anën e djathtë të malit të Shkretimit, të cilat i kishte ndërtuar Solomoni, mbreti i Izraelit, për nder të Ashtarotës, idhullit të ndyrë të sidonasve, për nder të Kemoshit, idhullit të ndyrë të Moabit, dhe Milkomit, idhullit të ndyrë të amonitëve. Copëtoi përmendoret e shenjta dhe preu shtyllat e Asherasë. Gropat e tyre i mbushi me eshtra njerëzish. Josia shkatërroi edhe altarin që ishte në faltoren e Betelit, të cilin e kishte ndërtuar Jeroboami, biri i Nebatit, që kishte shtyrë Izraelin në mëkat. E rrënoi altarin bashkë me faltoren në vend të lartë, e dogji dhe e bëri pluhur. Dogji edhe shtyllën e Asherasë. Josia ktheu kokën e pa varret që ndodheshin në kodër. Atëherë ai dërgoi të merrnin eshtra nga varret dhe i dogji mbi altar, duke e përdhosur, sipas fjalës së ZOTIT, që kishte thënë kohë më parë njeriu i Perëndisë. Pastaj Josia tha: «Çfarë është kjo përmendore që shoh?». Banorët e qytetit i thanë: «Është varri i njeriut të Perëndisë, që erdhi nga Juda dhe tha fjalët, të cilat ti sot i përmbushe, kundër altarit të Betelit». Josia tha: «Lëreni të qetë e askush të mos i prekë eshtrat e tij». Kështu, ata nuk i prekën eshtrat e profetit që kishte ardhur nga Samaria. Josia zhduku të gjitha faltoret nëpër vende të larta të Samarisë, të cilat i kishin ndërtuar mbretërit e Izraelit, duke ndezur zemërimin e ZOTIT. Ai bëri me to siç kishte bërë në Betel. Priftërinjtë e faltoreve në vende të larta, Josia i flijoi mbi altarët e këtyre faltoreve, duke djegur mbi to edhe eshtra njerëzish. Mandej ai u kthye në Jerusalem. Mbreti Josi i dha këtë urdhër mbarë popullit: «Kremtoni Pashkën për nder të ZOTIT, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në librin e kësaj besëlidhjeje». Pashkën nuk e kishin kremtuar ashtu që nga koha e gjyqtarëve që kishin udhëhequr Izraelin, madje as edhe gjatë sundimit të mbretërve të Izraelit e të Judës. Një Pashkë e tillë për nder të ZOTIT u kremtua në Jerusalem vetëm në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josisë. Ai zhduku ata që thërrasin shpirtra të vdekurish, shortarët, idhujt familjarë, shëmbëlltyrat e idhujve dhe të gjitha gjërat e neveritshme që ishin parë në Jerusalem e në mbarë tokën e Judës. Kështu, zbatoi fjalët e ligjit që ishin shkruar në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në tempullin e ZOTIT. Para Josisë nuk kishte pasur kurrë mbret si ai, që të ishte kthyer te ZOTI me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin e me gjithë forcën e vet, sipas tërë ligjit të Moisiut, e nuk pati as pas tij. E megjithatë, ZOTI nuk e fashiti zemërimin e tij të madh që ishte ndezur kundër Judës për shkak të të gjitha ngallmimeve që kishte bërë Manaseu kundër tij. Kështu, ZOTI tha: «Do ta dëboj edhe Judën nga prania ime, ashtu siç dëbova edhe Izraelin. Jerusalemin, qytetin që zgjodha vetë, do ta flak tutje, bashkë me tempullin, për të cilin pata thënë se në të do të banonte emri im».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë