Solomoni mbaroi lutjen dhe nga qielli zbriti një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. Atëherë lavdia e ZOTIT mbushi tempullin. Priftërinjtë nuk mund të hynin më në tempullin e ZOTIT, se tempullin e kishte mbushur lavdia e ZOTIT. Kur izraelitët panë zjarrin që zbriti nga qielli dhe lavdinë e ZOTIT mbi tempullin e tij, ranë me fytyrë përdhe dhe përlëvduan ZOTIN, sepse është i mirë dhe mirësia e tij mbetet në amshim. Pastaj mbreti e mbarë populli kushtuan fli para ZOTIT. Mbreti Solomon i kushtoi ZOTIT njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Perëndisë. Priftërinjtë kryenin shërbesat dhe levitët i këndonin ZOTIT me veglat muzikore dhe me psalmet që kishte bërë mbreti David për të lavdëruar ZOTIN, sepse mirësia e tij mbetet në amshim. Ndërkaq priftërinjtë u binin trumbetave para tyre e mbarë Izraeli qëndronte në këmbë. Solomoni shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të ZOTIT. Atje kushtoi flitë e shkrumbimit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që kishte ndërtuar Solomoni, nuk i nxinte flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit. Në atë kohë Solomoni festoi shtatë ditë me mbarë bashkësinë e madhe të izraelitëve që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit. Ditën e tetë bënë një kuvend, sepse për shtatë ditë kishin kushtuar altarin e po për shtatë ditë kishin kremtuar. Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë Solomoni e nisi popullin nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të mirat që i kishte dhënë ZOTI Davidit, Solomonit dhe Izraelit, popullit të vet. Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e ZOTIT dhe në pallatin mbretëror
Lexo 2 Kronikave 7
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 2 Kronikave 7:1-11
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video