Atëherë Solomoni tha: «Ti, o ZOT, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë. Prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim».
Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte më këmbë. Solomoni tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, i cili përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: “Që nga dita kur e nxora Izraelin, popullin tim, nga toka e Egjiptit, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim e nuk zgjodha askënd për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin. Por tani kam zgjedhur Jerusalemin për nder të emrit tim dhe Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Por ZOTI i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën. Tempullin për nder të emrit tim, veçse, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt që do të dalë prej ijëve të tua”. ZOTI e përmbushi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha ZOTI, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri ZOTI me popullin e Izraelit».