Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 9:15-27

1 Samuelit 9:15-27 AL1

ZOTI e kishte njoftuar Samuelin një ditë përpara se të vinte Sauli e i kishte thënë: «Nesër në këtë kohë, do të dërgoj te ti një burrë prej fisit të Benjaminit. Vajose si prijës të popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim prej dorës së filistinëve, se e pashë mjerimin që e ka kapluar popullin tim». Kur Samueli e pa Saulin, ZOTI i tha: «Ja, burri për të cilin të fola. Ai ka për ta zotëruar popullin tim». Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës e i tha: «Të lutem, më trego ku është shtëpia e vegimtarit?». Samueli iu përgjigj: «Unë jam vegimtari. Shko para meje te faltoret në vende të larta, se do të hamë bashkë sot. Nesër do të të tregoj për gjithçka që ke në zemër e pastaj do të të nis. Sa për gomaricat që të humbën tri ditë më parë, mos u shqetëso, se i kanë gjetur. E kujt do t'i përkasë tërë ëndja e Izraelit, në mos ty e tërë familjes tënde?». Sauli u përgjigj: «A nuk jam unë prej fisit të Benjaminit, prej fisit më të vogël të Izraelit dhe prej familjes më të vogël brenda fisit të Benjaminit? Përse, pra, ma thua këtë fjalë?». Atëherë Samueli e futi brenda në dhomë Saulin e shërbëtorin e tij dhe i vuri në krye të të ftuarve. Aty ishin rreth tridhjetë vetë. Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: «Sille pjesën që të dhashë e për të cilën të thashë ta vije mënjanë». Gjellëbërësi mori kofshën dhe bishtin e ia vuri para Saulit. Samueli i tha: «Ja, pjesa që u vu mënjanë për ty. Ha se është ruajtur për ty për këtë të kremte ku kam ftuar popullin». Sauli hëngri atë ditë bashkë me Samuelin. Kur zbritën në qytet prej faltoreve në vende të larta, i vunë për të fjetur në tarracë. Të nesërmen u ngritën që në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në tarracë e i tha: «Bëhu gati të nisesh». Pasi u bë gati, Sauli e Samueli dolën që të dy përjashta. Teksa po i afroheshin fundit të qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji djaloshit të shkojë para nesh». Kur u largua djaloshi, i tha: «Ti ndalu pak që të të njoftoj fjalën e Perëndisë».