Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 28:15-25

1 Samuelit 28:15-25 AL1

Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? ZOTI është larguar prej teje dhe e ke kundër. ZOTI ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. Ti nuk e dëgjove zërin e ZOTIT e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj ZOTI ta bëri sot këtë gjë. ZOTI do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se ZOTI do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit». Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë.