Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 28:1-20

1 Samuelit 28:1-20 AL1

Në ato ditë filistinët mblodhën ushtritë për të sulmuar Izraelin. Akishi i tha Davidit: «Dije mirë se ti e njerëzit e tu do të dalin në luftë bashkë me mua». Davidi i tha: «Do ta marrësh vesh se çfarë mund të bëjë shërbëtori yt». Akishi ia ktheu: «Do të jesh truproja ime përgjithmonë». Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. Ai pyeti ZOTIN, por ZOTI nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!». Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». Sauli iu betua për ZOTIN e i tha: «Pasha ZOTIN nuk do të dënohesh për këtë». Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». Ai e pyeti: «Ç'pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi. Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? ZOTI është larguar prej teje dhe e ke kundër. ZOTI ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. Ti nuk e dëgjove zërin e ZOTIT e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj ZOTI ta bëri sot këtë gjë. ZOTI do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se ZOTI do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit». Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën.