Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u mblodh dhe e vajtoi. E varrosën në vendlindjen e tij, në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Paranit.
Në Maon jetonte një burrë shumë i pasur që punonte në Karmel. Ai kishte tre mijë dhen dhe një mijë dhi. Në atë kohë gjendej në Karmel për qethjen e dhenve. Ai quhej Nabal dhe e shoqja quhej Abigajlë. Ajo ishte e mençur dhe e bukur, ndërsa i shoqi i vrazhdë e i lig. Ai ishte prej familjes së Kalebit. Kur Davidi dëgjoi në shkretëtirë se Nabali po qethte dhentë, dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: «Shkoni te Nabali në Karmel, përshëndeteni në emrin tim e thuajini: “Të paça me jetë! Paqja qoftë me ty, me shtëpinë tënde e me gjithçka që të përket. Dëgjova se po qeth dhentë. Ti e di se ne nuk i ngacmuam barinjtë e tu kur ishin me ne. Nuk u humbi as një qengj gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. Pyeti djelmoshat e ata do të të tregojnë. Prandaj, priti mirë djelmoshat e mi. Të kemi ardhur në ditë të mirë. Jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç'të të gjendet”».
Djelmoshat e Davidit shkuan te Nabali, ia thanë të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe pritën. Atëherë Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit e u tha: «Kush është Davidi? E kush është biri i Jeseut? Sot ka shumë shërbëtorë që u ikin zotërinjve të tyre! Pse, u dashka ta marr bukën time, ujin tim e flinë time, që kushtova për qethtarët e mi, e t'ua jap disa njerëzve që nuk e di as nga vijnë?». Djelmoshat e Davidit u kthyen e i treguan Davidit gjithçka. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: «Ngjishni shpatat!». Të gjithë bashkë me Davidin ngjeshën shpatat dhe katërqind burra shkuan pas tij. Dyqind të tjerë ndenjën me pajisjet.
Njëri nga djelmoshat foli me Abigajlën, të shoqen e Nabalit, e i tha: «Davidi i dërgoi zotërisë sonë lajmëtarë nga shkretëtira për ta uruar, por ai iu hakërrye. Këta njerëz janë treguar të mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar e nuk na ka humbur asgjë kur endeshim me ta nëpër ara. Na u bënë mur mbrojtës natë e ditë gjatë gjithë kohës që kullotnim tufat me ta. Tani, mendohu mirë se çfarë do të bësh, se ka për ta zënë e keqja zotërinë tonë e shtëpinë e tij. Ai është i poshtër e askush nuk i flet dot».
Atëherë Abigajla mori me nxitim dyqind bukë, dy kacekë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa drithi të pjekur, njëqind vile rrush të thatë e dyqind bukëfiqe e i ngarkoi mbi gomarë. Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Shkoni para, se unë do të vij pas jush», pa i treguar asgjë Nabalit, të shoqit. Kur ajo po zbriste, hipur mbi gomar, nën hijen e malit, i dolën para Davidi e njerëzit e tij dhe ajo i takoi.
Ndërkohë Davidi po thoshte me vete: «Kot ia ruajta gjënë këtij në shkretëtirë pa i humbur asgjë. Ai po ma kthen të mirën me të keqe. Më zi ma bëftë Perëndia nëse deri nesër në të gdhirë i lë gjallë ndonjë mashkull».