Davidin e lajmëruan e i thanë: «Ja, filistinët po sulmojnë Kejlahun e po përlajnë lëmenjtë». Atëherë Davidi pyeti ZOTIN: «A t'i sulmoj filistinët?». ZOTI iu përgjigj: «Sulmoji filistinët e çliroje Kejlahun». Por njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, ne jemi në Judë e na ka kapur frika. Si të shkojmë në Kejlah kundër forcave filistine?». Atëherë Davidi pyeti sërish ZOTIN e ai iu përgjigj: «Ngrihu e shko në Kejlah, se unë po t'i dorëzoj filistinët». Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi në Kejlah, i sulmoi filistinët dhe dëboi bagëtitë e tyre. Filistinët u shpartalluan dhe Davidi i çliroi banorët e Kejlahut.
Abiatari, biri i Ahimelekut, kishte shkuar te Davidi në Kejlah dhe kishte marrë me vete efodin. Saulin e lajmëruan se Davidi kishte mbërritur në Kejlah. Atëherë ai tha: «Ma ka dorëzuar Perëndia, se shkoi e u mbyll në një qytet me dyer e shula». Sauli mblodhi tërë popullin për të mësyrë Kejlahun e për të rrethuar Davidin e njerëzit e tij. Davidi e mori vesh se Sauli po kurdiste ligësi kundër tij, prandaj i tha priftit Abiatar që të sillte efodin. Atëherë Davidi tha: «O ZOT, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt mori vesh se Sauli po kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. A do të më dorëzojnë banorët e Kejlahut te Sauli? A do të vijë Sauli, siç dëgjoi shërbëtori yt, o ZOT, Perëndia i Izraelit? Tregoji, të lutem, shërbëtorit tënd!». ZOTI iu përgjigj: «Sauli do të vijë». Davidi e pyeti: «A do të na dorëzojnë te Sauli krerët e Kejlahut?». ZOTI i tha: «Po, do t'ju dorëzojnë». Atëherë Davidi dhe gjashtëqind njerëzit e tij ikën prej Kejlahut e u endën gjithandej. Saulit i treguan se Davidi kishte ikur prej Kejlahut dhe ai nuk e sulmoi. Davidi banoi në fortesat e shkretëtirës, në malësinë e shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte ditë për ditë, por Perëndia nuk ia dorëzoi kurrë Davidin.
Davidi ishte në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, kur pa se Sauli kishte dalë për t'i marrë jetën. Jonatani, biri i Saulit, u ngrit e shkoi te Davidi në Horesh. Ai i dha zemër në emër të Perëndisë e i tha: «Mos ki frikë, se Sauli, ati im, nuk ka për të të gjetur. Ti do të mbretërosh në Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë». Të dy lidhën besën para ZOTIT. Davidi qëndroi në Horesh e Jonatani u kthye në shtëpi.