Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 17:41-58

1 Samuelit 17:41-58 AL1

Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë. Atëherë nxitoi, u hodh mbi filistinin, ia mori shpatën dhe, si ia nxori nga milli, e theri e ia preu kokën. Filistinët ia mbathën sapo panë se u vdiq trimi. Atëherë burrat e Izraelit e të Judës u ngritën, lëshuan kushtrimin e i ndoqën filistinët deri në Gat e deri te portat e Ekronit. Kufomat e filistinëve u dergjën udhës së Sharaimit deri në Gat e në Ekron. Pastaj izraelitët u kthyen nga ndjekja e filistinëve dhe plaçkitën fushimet e tyre. Davidi mori kokën e filistinit dhe e çoi në Jerusalem. Ia mori edhe armët e i vendosi në tendën e vet. Kur Sauli pa se Davidi kishte dalë për t'u ndeshur me filistinin, e pyeti Abnerin, prijësin e ushtrisë: «Abner, biri i kujt është ky djalosh?». Abneri iu përgjigj: «Pasha jetën tënde, o mbret, nuk e di». Mbreti tha: «Pyet se biri i kujt është ky çunak». Kur Davidi u kthye, pasi kishte vrarë filistinin, Abneri e mori dhe e solli para Saulit. Davidi mbante ende në dorë kokën e filistinit. Sauli e pyeti: «Djalosh, biri i kujt je?». Ai i tha: «Biri i shërbëtorit tënd, Jeseut, betlehemasit».