Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 16:1-23

1 Samuelit 16:1-23 AL1

ZOTI i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». ZOTI i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli ZOTIT. Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». Samueli bëri siç i tha ZOTI dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli ZOTIT. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para ZOTIT qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por ZOTI i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa ZOTI sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. ZOTI tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i ZOTIT vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah. Shpirti i ZOTIT u largua nga Sauli dhe filloi ta mundonte një shpirt i lig dërguar prej ZOTIT. Atëherë një shërbëtor i tha: «Ja, një shpirt i lig i Perëndisë po të mundon. T'i urdhërojë zotëria ynë shërbëtorët e tij të gjejnë dikë që di t'i bjerë lirës. Sa herë të të pushtojë shpirti i lig i Perëndisë, ai do t'i bjerë lirës e ti do të ndihesh më mirë». Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve: «Më gjeni dikë që i bie mirë lirës dhe silleni tek unë». Një nga shërbëtorët u përgjigj: «Ja, kam vënë re se biri i Jeseut, betlehemasit, di t'i bjerë lirës. Ai është fisnik, trim, njeri i fjalës e i pashëm. ZOTI është me të». Sauli dërgoi lajmëtarë te Jeseu për t'i thënë: «Nise tek unë Davidin, birin tënd, që kullot dhentë». Jeseu mori një gomar, e ngarkoi me bukë, me një kacek vere e me një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të vet. Davidi mbërriti te Sauli e u vu në shërbim të tij. Sauli e deshi shumë dhe e bëri armëmbajtësin e vet. Sauli dërgoi njerëz te Jeseu për t'i thënë: «Lëre Davidin në shërbimin tim, sepse jam i kënaqur me të». Sa herë që shpirti i lig i Perëndisë e pushtonte Saulin, Davidi merrte lirën dhe i binte. Sauli qetësohej, ndihej më mirë e shpirti i lig largohej prej tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë