Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 15:1-23

1 Samuelit 15:1-23 AL1

Samueli i tha Saulit: «Unë jam ai që ZOTI dërgoi për të të vajosur mbret mbi popullin e tij, Izraelin, prandaj dëgjoje fjalën e ZOTIT: “Kështu thotë ZOTI i ushtrive: po e dënoj Amalekun për çka bëri kundër Izraelit, sepse e pengoi kur doli nga Egjipti. Tani pra, sulmoje Amalekun e shfaros gjithçka gjendet në të. Mos ki mëshirë. Vriti me burra, gra, fëmijë, foshnja, qe, dhen, deve e gomarë”». Atëherë Sauli thirri popullin dhe e rreshtoi në Telaim. Ata ishin dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë burra prej Judës. Sauli mbërriti para qytetit të Amalekut e vuri pritë te vau. Pastaj u tha kenitëve: «Ikni prej amalekitëve, që të mos ju shkatërroj bashkë me ta, se treguat mirësi ndaj gjithë izraelitëve kur dolën nga Egjipti». Kështu, kenitët u larguan prej amalekitëve. Sauli e sulmoi Amalekun nga Havilahu deri në Shur që është kundruall Egjiptit. E kapi të gjallë Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa mbarë popullin e kaloi në teh të shpatës. Sauli e populli kursyen Agagun, dhentë e qetë më të mira, bagëtitë e majme, qengjat e çdo gjë që ishte e mirë, që nuk deshën t'i shfarosnin. Gjithçka të pavlerë e shfarosën. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua Samuelit: «Jam penduar që e bëra mbret Saulin, se më ka kthyer shpinën e nuk i zbaton fjalët e mia». Samueli u trishtua e i thirri ZOTIT gjithë natën. Samueli u ngrit në të gdhirë për ta takuar Saulin që herët dhe e lajmëruan se Sauli, pasi kishte mbërritur në Karmel, ku kishte ngritur një përmendore për vete, ishte kthyer dhe kishte kaluar për në Gilgal. Samueli shkoi tek ai dhe kur Sauli e takoi, i tha: «Të bekoftë ZOTI! Ia mbajta fjalën ZOTIT». Por Samueli iu përgjigj: «Ç'është kjo blegërimë qengjash që po më kapin veshët? Ç'është kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?». Sauli i tha: «I sollëm prej Amalekut. Populli i kurseu dhentë e qetë më të mira për t'ia kushtuar ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa pjesën tjetër e shfarosëm». Samueli i tha Saulit: «Hesht! Do të të tregoj se çfarë më tha ZOTI mbrëmë». Sauli i tha: «Fol!». Samueli i tha: «Edhe pse të duket vetja i vogël, je kreu i fiseve të Izraelit. ZOTI të vajosi mbret mbi Izraelin. ZOTI të dërgoi e të tha: “Shfarosi amalekitët, ata mëkatarë. Lufto kundër tyre derisa t'i shkatërrosh”. Përse, pra, nuk e dëgjove zërin e ZOTIT, por iu vërsule plaçkës duke bërë ligësi në sytë e ZOTIT?». Sauli iu përgjigj Samuelit: «E kam dëgjuar zërin e ZOTIT. Shkova siç më dërgoi ZOTI dhe e kapa Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa amalekitët i shfarosa. Populli mori për plaçkë dhentë e qetë më të mira, që ishin caktuar për t'u shfarosur, për t'ia kushtuar në Gilgal ZOTIT, Perëndisë tënd». Atëherë Samueli i tha: «Pse, a i pëlqejnë ZOTIT flitë e shkrumbimit e flitë e tjera më shumë se t'i dëgjohet fjala? Ja, më mirë është dëgjesa, se flitë, më mirë vëmendja, se dhjami i deshve. Kundërshtimi është si mëkati i shortarisë, kokëfortësia si ligësia e idhujtarisë. Ngaqë e përbuze fjalën e ZOTIT, ai e përbuzi sundimin tënd».