Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 12:1-25

1 Samuelit 12:1-25 AL1

Samueli i tha mbarë Izraelit: «Jua dëgjova fjalën për gjithçka më thatë e ju vura një mbret. Tani ka për t'ju prirë mbreti. Unë u plaka, u thinja e bijtë e mi janë me ju. Ju kam prirë që në rini e deri tani. Ja ku më keni. Nëse i kam marrë ndokujt kaun apo gomarin, nëse kam shfrytëzuar apo keqtrajtuar ndokënd, nëse i kam marrë mitë dikujt për të mbyllur një sy, ata le të dëshmojnë kundër meje në prani të ZOTIT e të vajosurit të tij dhe unë do t'ua kthej». Ata u përgjigjën: «Nuk na ke shfrytëzuar apo keqtrajtuar, as nuk ke marrë send prej dorës së ndokujt». Ai u tha: «Sot, pra, ZOTI dhe i vajosuri i tij janë dëshmitarë që ju nuk keni gjetur asnjë faj në mua». Ata u përgjigjën: «Ai është dëshmitar!». Samueli i tha popullit: «Është ZOTI, ai që caktoi Moisiun e Aronin dhe që i nxori etërit tuaj prej tokës së Egjiptit. Tani, pra, zini vend e unë do të bëj gjyq me ju para ZOTIT për të gjitha veprat e drejta që ZOTI bëri për ju e për etërit tuaj. Pasi Jakobi mbërriti në Egjipt, etërit tuaj i thirrën ZOTIT. Ai dërgoi Moisiun e Aronin dhe ata i nxorën etërit tuaj prej Egjiptit e i vunë të banonin në këtë vend. Por populli e harroi ZOTIN, Perëndinë e tyre, dhe ai i dorëzoi te Siseri, prijësi i ushtrisë së Hacorit, te filistinët e te mbreti i Moabit, që luftuan kundër tyre. Atëherë i thirrën ZOTIT e thanë: “Mëkatuam, se e braktisëm ZOTIN dhe u shërbyem Baalëve e Ashtarotës. Na shpëto, tani, prej dorës së armiqve dhe ne do të të shërbejmë ty”. Atëherë ZOTI dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftahun dhe Samuelin. Ai ju shpëtoi prej duarve të armiqve përreth e ju jetuat të qetë. Kur patë që erdhi kundër jush Nahashi, mbreti i amonitëve, më thatë: “Jo, duam një mbret mbi ne”, edhe pse ZOTI, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj. Ja, ku e keni mbretin që zgjodhët, mbretin që kërkuat. Ja, ZOTI jua dha mbretin. Nëse e druani ZOTIN, nëse i shërbeni atij, nëse ia dëgjoni zërin e nuk ngrini krye kundër fjalës së ZOTIT, por e ndiqni ZOTIN, Perëndinë tuaj, do të keni mbarësi ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju. Nëse nuk e dëgjoni zërin e ZOTIT dhe ngrini krye kundër fjalës së ZOTIT, dora e ZOTIT do të shtrihet kundër jush e mbretit tuaj. E tani, zini vend, që të shihni këtë gjë madhështore që ZOTI do të bëjë para syve tuaj. A nuk korret gruri sot? Do ta thërras ZOTIN që të çojë bubullima e shi dhe do ta kuptoni e do ta shihni sa e madhe është prapësia juaj në sytë e ZOTIT, që kërkuat mbret për vete». Atëherë Samueli i thirri ZOTIT e ZOTI dërgoi bubullima e shi po atë ditë. Gjithë populli u frikësua shumë prej ZOTIT e Samuelit e i tha Samuelit: «Lutju ZOTIT, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu që të mos vdesim, se tërë mëkateve tona u shtuam edhe këtë ligësi duke kërkuar mbret për vete». Por Samueli i tha popullit: «Mos kini frikë. Ju e bëtë gjithë këtë ligësi, por mos u largoni prej ZOTIT. Shërbejini ZOTIT me gjithë zemër. Mos u tërhiqni pas kotësive, që nuk ju ndihmojnë e nuk ju shpëtojnë dot, se nuk janë asgjë. ZOTI nuk ka për ta braktisur popullin e tij për shkak të emrit të tij të madhërishëm. ZOTI vendosi t'ju bënte ju popullin e vet. Edhe për mua, qoftë larg të mëkatoj kundër ZOTIT, e të mos lutem më për ju. Do t'ju mësoj udhën e mbarë e të drejtë. Veç, druani ZOTIN, shërbejini atij me gjithë zemër e besnikërisht dhe shqyrtoni veprat madhështore që bëri për ju. Por, nëse vazhdoni të bëni ligësi, do të zhdukeni ju dhe mbreti».