Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht, rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë. Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë. Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. Sepse thuhet: çdo njeri është si bari dhe gjithë lavdia e tij është si lulja e barit. Bari u tha e lulja u vyshk, ndërsa fjala e Zotit mbetet në amshim. Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.
Lexo 1 Pjetrit 1
Dëgjoj 1 Pjetrit 1
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Pjetrit 1:13-25
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video