Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 9:15-23

1 Mbretërve 9:15-23 AL1

Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i ZOTIT, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri. Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit. Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm, Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit, si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot. Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij. Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët.