Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 9:10-28

1 Mbretërve 9:10-28 AL1

Solomonit iu deshën njëzet vjet për t'i ndërtuar të dyja godinat e mëdha, tempullin e ZOTIT dhe pallatin mbretëror. Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dërguar Solomonit drutë e cedrit, të qiparisit dhe të gjithë arin që i ishte dashur. Solomoni i dha Hiramit njëzet qytete në krahinën e Galilesë. Hirami erdhi nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk i pëlqyen. Ai i tha Solomonit: «Vëllai im, ç'qytete janë këto që më ke dhënë?». I quajti Krahina e Kabulit e kështu njihen ato edhe sot e kësaj dite. Hirami i dërgoi mbretit tre tonë e gjysmë ar. Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i ZOTIT, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri. Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit. Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm, Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit, si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot. Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij. Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët. Kur e bija e faraonit u largua nga qyteti i Davidit për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, Solomoni ndërtoi Milonë. Solomoni kushtonte tri herë në vit fli shkrumbimi e paqtimi mbi altarin që kishte ndërtuar për ZOTIN, ku digjte edhe temjan para ZOTIT. Kështu, ndërtimi i tempullit përfundoi. Solomoni ndërtoi edhe një flotë në Ecjon Geber, që ndodhet pranë Ejlatit, në brigjet e detit të Kuq, në tokën e Edomit. Hirami i dërgoi Solomonit disa nga detarët e tij, që e njihnin mirë detin, për të punuar bashkë me shërbëtorët e Solomonit. Ata shkuan në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë