Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe të gjitha ndërtesat që donte të bënte, ZOTI iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon, e i tha: «E dëgjova lutjen dhe përgjërimin që bëre para meje, e shenjtërova këtë tempull që ndërtove dhe aty vendosa emrin tim për amshim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë përherë aty. Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, me zemër të pastër e të drejtë, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar e nëse mban rregullat e vendimet e mia, do ta bëj gjithmonë të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate në Izrael, siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Por nëse ju dhe bijtë tuaj më braktisni, nuk i mbani urdhërimet dhe rregullat që ju dhashë unë dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, do ta zhduk Izraelin nga faqja e dheut që i kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e të çuditur do të thonë: “Përse u soll kështu ZOTI me këtë vend e me këtë tempull?”. E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë ZOTIN, Perëndinë e tyre, që i nxori paraardhësit e tyre nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj ZOTI solli mbi ta këtë fatkeqësi”».
Lexo 1 Mbretërve 9
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Mbretërve 9:1-9
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video