Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 8:1-21

1 Mbretërve 8:1-21 AL1

Atëherë mbreti Solomon mblodhi në Jerusalem pleqësinë e Izraelit, të gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e popullit të Izraelit, për të mbartur arkën e besëlidhjes së ZOTIT nga qyteti i Davidit, që është Sioni. Në muajin Etanim, që është muaji i shtatë, të gjithë izraelitët u mblodhën pranë mbretit Solomon për të kremten. Kur u mblodh e gjithë pleqësia e Izraelit, priftërinjtë ngritën arkën. Arkën e ZOTIT, tendën e takimit dhe të gjitha pajisjet e shenjta, që ishin në tendë, i mbartën priftërinjtë dhe levitët. Mbreti Solomon e mbarë bashkësia e Izraelit, që ishte mbledhur pranë tij, para arkës, kushtuan aq shumë dele e qe, sa nuk i numëroje dot. Priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së ZOTIT në vendin e saj brenda shenjtërores, në shenjtëroren e shenjtëroreve, dhe e vendosën nën krahët e kerubëve. Kerubët i shtrinin krahët mbi vendin ku rrinte arka dhe mbulonin arkën e shufrat e saj. Shufrat ishin të gjata dhe majat e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, që ndodhet përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. Brenda në arkë ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, të cilat i kishte futur Moisiu në malin Horeb, atje ku ZOTI kishte bërë besëlidhjen me izraelitët, pas daljes nga Egjipti. Kur priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, një re mbuloi tempullin e ZOTIT. Priftërinjtë nuk mund të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë, se tempullin e ZOTIT e kishte mbushur lavdia e ZOTIT. Atëherë Solomoni tha: «Ti, o ZOT, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë, prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim». Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte në këmbë. Solomoni tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, që përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: “Që nga dita që e nxora Izraelin, popullin tim, nga Egjipti, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim, por zgjodha Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Por ZOTI i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën, veçse, tempullin për nder të emrit tim, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt, që do të dalë prej ijëve të tua”. ZOTI e plotësoi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha ZOTI, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri ZOTI me paraardhësit tanë, kur i nxori nga toka e Egjiptit».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë