Hirami punoi legenët, lopatëzat e kupat dhe kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e ZOTIT. Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. Punoi edhe dhjetë bazat për dhjetë legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, rrethjet, lopatëzat dhe kupat.
Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Hiramit për tempullin e ZOTIT, u punuan me bronz të pastër. Mbreti kishte urdhëruar që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Cartanit. Solomoni nuk i peshoi këto pajisje, sepse ishin aq shumë, sa nuk u llogaritej pesha.
Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e ZOTIT: altarin prej ari, tryezën prej ari të paraqitjes së bukës, pesë shandanë prej ari të pastër në anën e djathtë dhe pesë shandanë prej ari të pastër në anën e majtë të hyrjes për në shenjtërore, gonxhet, llambat dhe mashat prej ari, legenët, thikat, kupat, rrethjet, mangallët prej ari të pastër, si edhe menteshat për dyert e shenjtërores së shenjtëroreve dhe për dyert e anijatës, po prej ari.
Kështu, përfundoi e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të ZOTIT. Solomoni i solli të gjitha sendet që kishte shenjtëruar për Zotin ati i tij, Davidi, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të ZOTIT.