Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 2:1-9

1 Mbretërve 2:1-9 AL1

Kur po i afrohej dita e vdekjes, Davidi thirri Solomonin, birin e tij, e i tha: «Unë po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Ji i fortë e bëhu burrë! Zbato urdhrat që të ka dhënë ZOTI, Perëndia yt, dhe ec udhëve të tij. Mbaj rregullat, urdhërimet, vendimet dhe dëshmitë e tij, ashtu siç janë shkruar në ligjin e Moisiut, që të të shkojë mbarë çfarëdo që të bësh e kudo që të shkosh. Kështu, ZOTI do ta përmbushë premtimin që më bëri kur tha: “Nëse pasardhësit e tu kujdesen që të ecin në praninë time, duke më qëndruar besnikë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Për më tepër, ti e di ç'më bëri Joabi, biri i Cerujahut, e ç'u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasait, birit të Jeterit. I vrau, duke derdhur gjak në kohë paqeje, si të ishte kohë lufte. Ai ka njollosur me gjak lufte brezin që ngjesh në ijë dhe sandalet që mbath në këmbë. Vepro me urti e mos lejo që ai të zbresë i qetë në skëterrë, kur t'i jenë zbardhur flokët. Por me bijtë e Barzilait tregohu i mirë dhe ftoji të hanë në tryezën tënde, se ata m'u gjendën pranë kur mora arratinë për t'i shpëtuar vëllait tënd, Absalomit. Ka mbetur edhe Shimei, biri i Gerait, benjaminasi nga Bahurimi. Ai është pranë teje, por ka thënë një mallkim të rëndë kundër meje, ditën që po shkoja në Mahanaim. Erdhi e më takoi në Jordan dhe unë iu betova para ZOTIT se nuk do ta vrisja me shpatë. Por mos e lë pa e ndëshkuar, sepse ti je burrë i urtë dhe e di vetë si duhet të veprosh me të. Plandose në skëterrë me thinjat tërë gjak».