Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë, përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari me nga gjashtë kilogramë ar secila dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari të rrahur, me nga një kilogram e gjysmë ar secila. Mbreti i vuri shqytet në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. Froni kishte gjashtë shkallë dhe shpinëzën e kishte me majë të rrumbullakët. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. Në gjashtë shkallët e fronit kishte dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. Mbreti Solomon kishte në det anijet e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj. Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër gjithë mbretërit e tokës. Mbarë bota dëshironte ta shihte Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë në zemër Perëndia. Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit. Solomoni mblodhi edhe karroca e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa kalorës i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin karrocat. Mbreti ia kishte dalë ta bënte në Jerusalem argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, gjendej me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. Solomonit ia sillnin kuajt nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. Karrocat e luftës që vinin nga Egjipti kushtonin gjashtëqind sikla argjendi secila, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Ata u shisnin karroca e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve e mbretërve të Aramit.
Lexo 1 Mbretërve 10
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 Mbretërve 10:14-29
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video