Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Korintasve 11:17-34

1 Korintasve 11:17-34 AL1

Megjithatë, për këto që do t'ju them tani, nuk mund t'ju përgëzoj. Kur mblidheni bashkë, është për më keq e jo për mirë. Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj. Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të dalin në pah të sprovuarit. Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit. Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, njëri mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet. A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë e të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t'ju them? T'ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj. Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo: Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu e tha: «Ky është trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim». Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim». Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai. Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit. Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka e të pijë nga kupa. Kush ha e kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur. Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi. Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën. Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin. Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit. Të tjerat do t'i rregulloj kur të vij vetë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë