Logo YouVersion
Icona Cerca

Çdo ditë me radhëCampione

Çdo ditë me radhë

GIORNO 270 DI 366

«Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit» (Rom. 11:4).

Perëndia nuk e lë kurrë veten pa dëshmi. Edhe në ditët më të errëta një zë i qartë e i pastër do të dalë për Të. Shpesh në rrethanat më të pazakonshme Ai ngre papritur një rrëfyes për të shpallur Emrin e Tij me guxim.

Në ditët përpara përmbytjes, toka ishte mbërthyer nga dhuna dhe imoraliteti. Por atje ishte Noeu për të ndërmarrë një hap të guximshëm për Zotin.

Profetit Elia i dukej që i gjithë Izraeli ishte zhytur në idhujtari, por Perëndia kishte 7000 burra që nuk i ishin përkulur Baalit.

Në mes të plogështisë frymërore dhe rënies morale Xhon Hus, Martin Luter dhe Xhon Knoks dolën me guxim në skenën e historisë për të mbrojtur kauzën e Më të Lartit.

Përpara jo shumë kohësh, Perëndia u pranua kur u zbulua telegrafi. Mesazhi i parë që u transmetua ishte «Çfarë ka bërë Perëndia!»

Kur Apollo 8 po kthehej në tokë pas udhëtimit të parë me njerëz për në hënë, në vigjilje të Krishtlindjes të vitit 1968, tre kozmonautë lexuan me radhë nga Zanafilla 1:1-10, pastaj përfunduan me fjalët: «Dhe nga ekuipazhi i Apollo 8 e mbyllim me [...] Zoti ju bekoftë, të gjithë juve mbi tokën e mirë».

Pavarësisht nga protestat e tërbuara nga njerëz të pafe, Shërbimet Postare të Shteteve të Bashkuara botuan një pullë të Apollos 8 me fjalët e marra nga Zanafilla 1:1: «Në fillim Perëndia...».

Monedha e Shteteve të Bashkuara mbart moton: «Në Perëndinë ne besojmë».

Shkurtimi kalendarik A.D. na kujton që ky është viti i Zotit tonë (A.D. Anno Domini).

A është përputhje e rastit që qiejtë yjorë paraqesin një virgjëreshë, një djalë, një gjarpër dhe një kryq – të gjithë këta pjesëmarrës të rëndësishëm në dramën e shpengimit? Mos vallë kemi Ungjillin të paraqitur në yjet?

Madje ndonjëherë edhe ateistët gabojnë duke pranuar ekzistencën e Zotit. Një udhëheqës ateist tha në një mbledhje diplomatësh në Austri në vitin 1979: «Perëndia nuk do të na falë nëse dështojmë».

Në gjithësi gjendet një farë detyrimi moral që Perëndia ynë të pranohet publikisht. Kur dishepujt e lavdëruan Zotin Jezus si Mbretin që duhej të vinte në Emrin e Zotit, farisenjtë i kërkuan Krishtit që t’i qortonte. Por Ai u tha atyre: «Unë po ju them se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtasin» (Lu. 19:40).

Ne s’duhet të kemi frikë se mos emri i Perëndisë do të ngelet ndonjëherë pa u kënduar apo që nderi i Tij të lihet pas dore. Në po atë kohë që njerëzit do ta quajnë Atë të vdekur, Ai do të ngrejë ndonjë dëshmitar për të turpëruar armiqtë e Tij dhe për të ngushëlluar miqtë e Tij.

Riguardo questo Piano

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al