Logo YouVersion
Icona Cerca

Çdo ditë me radhëCampione

Çdo ditë me radhë

GIORNO 275 DI 366

«Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet» (Jak. 4:14).

Zëri i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë e kujton njeriun vdekatar shpesh në Shkrimin e Shenjtë për shkurtësinë e jetës. Nëpërmjet përdorimit të përsëritur të krahasimeve, Fryma e Zotit ngulit në ne faktin që ditët tona janë të pakta dhe që kalojnë shpejt.

Për shembull, Ai e krahason jetën me masurin e një endësi (Jobi 7:6), ajo pajisje që shkon poshtë e lart në vegjë pothuaj më shpejtë, sesa syri mund ta ndjekë.

Jobi e krahason jetën me erën (Jobi 7:7), këtu njërën minutë dhe tutje minutën tjetër për të mos u kthyer më. Psalmisti përsërit këtë mendim, duke folur për «erën që kalon dhe nuk kthehet më» (Psa. 78:39).

Në mënyrë të panevojshme Bildadi e kujton Jobin që «ditët tona mbi tokë janë si një hije» (Jobi 8:9), një pikturë që përsëritet në Psalmin 102:11: «Ditët e mia janë si hija që zgjatet». Hija është kalimtare – ajo zgjat vetëm për një kohë të shkurtër.

Jobi e krahason jetën e tij me një gjethe (Jobi 13:25), të brishtë, delikate dhe që fishket; dhe me kashtën e thatë që e merr era tutje. Isaia i bën thirrje mëshirës së Zotit duke e kujtuar Atë që «ne po fishkemi të gjithë si një gjethe» (Isa. 64:6).

Davidi i përshkruan ditët e tij aq sa është e gjatë një pëllëmbë (Psa. 39:5), aq të pakta sa gjerësia e dorës së tij. Duke e parë jetën si një udhëtim, ajo do të jetë rreth 10 centimetra e gjatë.

Moisiu, njeri i Perëndisë, e përshkruan jetën si fjetje (Psa. 90:5), ku koha na kalon pa qenë të vetëdijshëm për të.

Në po atë vend, Moisiu flet për njerëzit dhe jetët e tyre si bari: «Janë si bar që gjelbëron në mëngjes. Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet» (Psa. 90:5, 6). Shekuj më vonë Davidi përdori të njëjtën figurë për të përshkruar përkohshmërinë tonë: «Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më» (Psa. 103:15, 16). Siç ka thënë Spërxhën, bari «mbillet, rritet, lulëzon, kositet, ikën». Dhe kjo është jeta me pak fjalë.

Në fund Jakobi shton dëshminë e tij që jeta është aq jetëshkurtër si avulli (Jak. 4:14). Ai duket për një çast të shkurtër, pastaj zhduket.

Ky grumbull krahasimesh ka për qëllim të kryejë dy gjëra. E para, kjo duhet të motivojë të pakthyerit në besim për të konsideruar shkurtësinë e kohës dhe rëndësinë e të qenit gati për t’u takuar me Perëndinë. E dyta kjo duhet të bëjë që besimtarët të numërojnë ditët e tyre për të patur një zemër të urtë (Psa. 90:12). Kjo do të rezultojë në jetë përkushtimi dhe dedikimi ndaj Krishtit, në jetë që jetohen për përjetësinë.

Riguardo questo Piano

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al