Ura për tek Esteri预览

Ura për tek Esteri

57天中的第28天

Ester 4:11-12

«Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e vet. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti».

Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,

Skeptri i Perëndisë në Krishtin

Mendoni pak sikur të martoheshit me dikë që e keni po aq frikë sa ç’e kishte Esteri mbretin! Edhe pse ai ishte bashkëshorti i saj, ajo sërish kishte frikë të dilte përpara tij e paftuar. Ajo e dinte që ai ishte në gjendje ta refuzonte dhe ta vriste, nëse nuk ishte në humor. Dhe ajo ishte thuajse e sigurt që ai ishte në humor të keq. Për tërë muajin, ai nuk kishte folur me të, as edhe një herë! Ajo nuk e dinte se çfarë nuk shkonte me të.

E dimë. Ai kishte miratuar një vrasje masive dhe kishte qenë duke festuar me ideatorin e gjithë këtij plani, Hamanin. Ju mund të shikoni që mëkati është pronari më i lig! Ai e vret gëzimin e vërtetë. I mbush njerëzit me ftohtësi dhe indiferencë, edhe ndaj atyre të cilët i kanë të afërt.

Le t’i kthejmë mendimet tona drejt një Mbreti tjetër. Ai është në një fron shumë më të madh nga sa ka qenë ndonjëherë ndonjë mbret tokësor. Lavdia dhe madhështia e Tij e tejkalojnë edhe mbretin më të lavdishëm dhe të pasur që ka jetuar ndonjëherë në këtë botë. Mbretëria dhe fuqia e Tij i bëjnë edhe kombet më të forta të tokës të duken si një “pikë uji në det”.

Sidoqoftë, ky Mbret madhështor dhe i fuqishëm kujdeset për njerëzit. Për më tepër, Ai zbriti nga froni i Tij për t’u shërbyer mëkatarëve; Ai la pasuritë dhe lavdinë e qiellit për t’u dhënë dhurata rebelëve të padenjë. Mbreti për të cilin po flas është Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ju mund të mendoni për Zotin Jezus si skeptri i Perëndisë. Esteri kishte frikë t’i afrohej Mbretit Asuero, sepse ai nuk ia kishte kërkuar këtë. Perëndia, nga ana tjetër, jo vetëm na fton të shkojmë tek Ai, por edhe na siguron që nuk do të largojë kurrë asnjë person që shkon tek Ai. Me fjalë të tjera, Ai na tregon që skeptri i Tij i artë është gjithmonë i shtrirë!

Çfarë e vërtete e lavdishme! Ne e kemi ofenduar thellësisht Perëndinë me mëkatin tonë. Sërish, Ai i kërkon mëkatarët që t’ju tregojë atyre për faljen e Tij. Kur dikush ju lëndon thellësisht, a vraponi drejt tij duke thënë: “Shiko, ju me të vërtetë më keni lënduar, por kam shumë dëshirë t’i rregullojmë gjërat dhe kam dëshirë t’ju fal.”? Kjo është ajo që po ju thotë Perëndia për Veten në Fjalën e Tij. Ai nuk kërkon shkatërrimin tuaj. “... Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj,” thotë Zoti, ZOTI, “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit ...” (Eze. 33:11). Ju mund t’i krahasoni vargje të tilla me skeptrin e artë të mbretit Asuero. Ky varg ju nxit të mos frikësoheni dhe ta kërkoni Atë për faljen e të gjitha mëkateve tuaja.

Veçanërisht, kur ju ndiheni keq për mëkatet që keni bërë, do të përballeni me frikëra nga më të ndryshmet. Ju mund të mendoni që meqë keni vepruar në mënyrë kaq mëkatare, nuk ka shpresë për ju. Perëndia i përgjigjet kësaj frike tek Isaia 55. Ndërsa e lexoni këtë kapitull, vini re që Perëndia po ju thotë se Ai mendon dhe vepron tërësisht ndryshe nga ne. Na duket e vështirë ta falim vëllanë tonë, kur ai merr një nga ëmbëlsirat tona ose kur na flet me ashpërsi. Por Zoti Perëndi nuk është ashtu: Ai gjen kënaqësi në shfaqjen e mëshirës. Ai na tregon qartazi: “Mos më krahasoni Mua me veten tuaj, me njeriun. Ju vështirë se e falni njëri-tjetrin, por Unë i fal të gjithë ata që kthehen tek Unë”.

读经计划介绍

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More