Logo YouVersion
Icona Cerca

Çdo ditë me radhëCampione

Çdo ditë me radhë

GIORNO 283 DI 366

«...të respektosh të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj për të mirën tënde» (LiP. 10:13).

Vini re katër fjalët e fundit të vargut të sotëm – «për të mirën tënde». Të gjitha urdhërimet e Zotit janë për të mirën tonë. Shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë. Ata e shohin Perëndinë si një Gjykatës të ashpër i cili i ngarkon njerëzit me rregulla e norma të cilat ia heqin jetës gjithë kënaqësinë. Por nuk është kështu! Ai interesohet për mirëqenien tonë dhe kënaqësitë tona dhe ligjet e Tij kanë për qëllim përmbushjen e këtyre.

Le të marrim, për shembull, disa nga Dhjetë Urdhërimet. Përse thotë Perëndia që nuk duhet të kemi perëndi të tjera? Sepse Ai e di që njerëzit bëhen si objektet e adhurimit të tyre dhe që perënditë e rreme të shpien në shthurje.

Përse thotë Ai që nuk duhet të bëjmë shëmbëlltyra të gdhendura? Sepse idhujtaria është shumë e lidhur me demonizmin. «Gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve» (1 Kor. 10:20) dhe qëllimi i demonëve është gjithmonë të shkatërrojnë.

Përse ka veçuar Perëndia një ditë nga shtatë për çlodhje? Sepse Ai e krijoi njeriun dhe e di që formimi fizik i njeriut ka nevojë për çlodhje nga puna. Ato kombe që janë përpjekur të detyrojnë punën në shtatë ditë në javë kanë zbuluar se prodhimtaria ka rënë ndjeshëm dhe kështu iu është dashur që ta braktisin eksperimentin.

Përse i urdhëron Perëndia bijtë që t’i binden prindërve të tyre? Sepse kjo i mbron fëmijët nga një jetë e shkujdesur dhe rebele dhe madje edhe nga vdekja e parakohshme.

Përse e ndalon Perëndia tradhtinë bashkëshortore? Sepse Ai e di që ajo e shkatërron shtëpinë dhe familjen si edhe lumturinë e atyre të përfshirë.

Përse e ndalon Perëndia vrasjen? Sepse ajo çon në ndjenja faji dhe në brejtje të ndërgjegjes, në burgim dhe ndonjëherë edhe në dënim me vdekje.

Përse e dënon Perëndia lakminë? Sepse mëkati fillon në mendje. Nëse e lejojmë të veprojë atje, përfundimisht do të kryejmë aktin. Po të mos e kontrollojmë burimin, nuk do të jemi në gjendje të kontrollojmë rrëketë që rrjedhin prej tij.

Dhe kështu është edhe me mëkatet e tjera – me përdorimin kot të Emrit të Zotit, me vjedhjen, me dëshminë e rremë etj. Nuk mund të dalim pa u lagur. Ato hyjnë në frymërat, shpirtrat dhe trupat tanë. Çdo mëkat vë në lëvizje veprime të pavullnetshme të dhimbshme, duke i hequr mëkatarit paqen, gëzimin dhe kënaqësinë. Ne korrim atë që mbjellim.

Vite më parë dikush shkroi një libër të titulluar «Ligjet e dashura të Perëndisë». Ato janë me të vërtetë të dashura, sepse janë dhënë për të mirën tonë.

Riguardo questo Piano

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al