Solid Joys Shqip预览

Çlirimi i vonuar
Menjëherë u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. (Veprat 16:26)
Në këtë epokë, Perëndia i shpëton njerëzit e Tij nga një pjesë lëndimi, por jo nga çdo lëndim. Të diturit e kësaj na jep ngushëllim, sepse ndryshe, të nisur nga lëndimi ynë mund të dilnim në përfundimin që Ai na ka braktisur apo na ka refuzuar.
Prandaj, inkurajohu nga kujtimi i thjeshtë se te Veprat 16:19-24, Pali dhe Sila nuk u çliruan, por në vargjet 25-26, ata u çliruan.
Së pari, nuk u çliruan:
- “I kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut.” (vargu 19)
- “Dhe pretorët ua grisën rrobat.” (vargu 22)
- Ata “i rrahën me shumë goditje.” (vargu 23)
- Gardiani “ua shtrëngoi këmbët në dru.” (vargu 24)
Por pastaj, u çliruan:
Por aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë...por befas u bë një tërmet i madh...; dhe menjëherë u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. (vargjet 25-26)
Perëndia mund të kishte ndërhyrë më herët, por Ai nuk e bëri. Ai ka arsyet e Tij. Ai e do Palin dhe Silën.
Ja një pyetje për ju: Nëse e vendosni jetën tuaj përgjatë vazhdimësisë së vuajtjeve fillestare të Palit dhe çlirimit të mëvonshëm, në cilën pikë gjendeni? A jeni në fazën ku jeni të zhveshur dhe të rrahur, apo në fazën ku janë zgjidhur prangat dhe dyert janë hapur krejt?
Të dyja janë fazat e kujdesit të Perëndisë për ju. Ai nuk ju ka lënë dhe as nuk ju ka braktisur (Hebrenjve 13:5).
Nëse gjendeni në fazën e prangosjes, mos u dëshpëroni. Këndoni! Liria është duke ardhur. Është thjesht çështje kohe. Edhe nëse liria vjen përmes vdekjes, “Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zbulesa 2:10).
读经计划介绍

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More