Solid Joys Shqip预览

Bëj që të rikthehemi
Bëj që të rikthehemi te ti, o ZOT, dhe ne do të kthehemi! (Vajtimet 5:21)
Nuk ka shpresë për popullin e Perëndisë nëse Perëndia nuk bën që ne të kthehemi nga rrëshqitja dhe nga zhytja jonë në mëkat dhe mosbesim.
Libri i Vajtimeve është libri më i zymtë në Bibël. Vetë Perëndia e kishte shkatërruar bebëzën e syrit të Tij: Jerusalemin,
- ZOTI i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij. (Vajtimet 4:11)
- Ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë. (Vajtimet 2:4)
- ZOTI e ka hidhëruar për shkak të morisë së shkeljeve të saj. (Vajtimet 1:5)
Pra, si përfundon libri?
Ai përfundon me të vetmen shpresë që ekziston:
Bëj që të rikthehemi te ti, o ZOT, dhe ne do të kthehemi! (Vajtimet 5:21).
Kjo është shpresa ime e vetme—kjo është shpresa juaj e vetme!
Jezusi i tha Pjetrit: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu si shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu” (Luka 22:31-32).
Jo nëse kthehesh, por kur të kthehesh. Unë jam lutur për ty! Ti do të kthehesh. Dhe kur të kthehesh, do të jetë hiri im sovran që do të të kthejë nga buza e greminës së apostazisë.
I krishterë, kjo është e vërtetë për ty. Kjo është shpresa jote e vetme e qëndrueshmërisë në besim. Mburru në këtë shpresë!
Krishti është ai që...është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne. (Romakëve 8:34)
Ai do të bëjë që ne të kthehemi. Prandaj, “Atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim...i qoftë lavdi dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani, edhe në përjetësi” (Juda 1:24-25). Amen!